Transmetuar më 22-11-2018, 17:25

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Tom Ndreca.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Albana Shtylla, relatore Ina Rama dhe anëtarë Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo, lanë në fuqi vendimin e KPK-së së datës 17 korrik të këtij viti.

Me këtë vendim, Ndreca humbet përfundimisht postin e gjyqtarit. Më parë në shqyrtimin e dosjes së tij ishin konstatuar parregullsi me një diferencë të pambuluar në vlerën 1 milion e 300 mijë lekëve.

Gjithashtu sipas KPK , Ndreca nuk ka deklaruar një procedim për kunatin për prodhim dhe shitje narkotikësh.

"Shkarkoj nga detyra subjektin e rivlerësimit, zotin Tom Ndreca me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë. Ky vendim u shpall sot me 17 korrik 2018."

Vetë gjyqtari deklaroiënë atë kohë një apartament 120 m2 e garazh 18 m2 në rr. "Muhamet Gjollesha" të blerë në 2003 me vlerën e 2 milion e 400 mijë lekë, burim për të cilin është bërë shitja e një apartament në Rrëshen.

Më pas ka blerë një apartament në Golem në 2009 me vlerë 31 mijë euro, një apartament tjetër me vlerën e 6 milion lekëve me sipërfaqe 92.6 m2 i blerë me kursimet nga paga e bashkëshortes. Në emër të bashkëshortes së tij rezulton një automjet dhe një llogari bankare me vlerën e 3 milion lekëve.

Sipas KPK-së, Ndreca s’ka deklaruar likuiditetet e gruas dhe fëmijëve në vlerën e 1.3 milion lekë nga 2009 deri ne 2016./b.l/noa.al/