Transmetuar më 22-11-2018, 10:25

Duke folur në seancën e sotme parlamentare ku po diskutohet projektbuxheti i vitit 2019, Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij duke shigjetuar opozitën por edhe protestuesit e Unazës së Re, objektet e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe.

Ai tha se opozita mungon jo vetëm fizikisht por edhe figurativisht dhe se nuk ka bërë asnjë mbledhje publike në asnjë hotel për buxhetin sa për të larë gojën tha ai dhe nuk ka dërguar asnjë amendament në Kuvend sa për të larë duart të paktën.

“Asnjë lloj shenje jete tjetër lidhur me debatin më të rëndësishëm parlamentar të vitit. Nëse do llogarisnim ato daljet një herë në muaj të Tabakut që as vetë s’di çfarë flet, merita është e Kadri Vasilit. S’kemi ç’bëjmë jemi të detyruar që ta drejtojmë vendin pa opozitë. Ndërkohë që opozita udhëheq protestën më të turpshme, në mbrojtje të ndërtimeve të paligjshme kundër interesit publik në Unazën e Re”, u shpreh Rama.

Ai tha se një protestë e tillë nuk ka bërë kurrë vaki qysh kur u prish parku “Rinia” në Tiranë. Rama u ndal tek bonusi i bebes, duke thënë se 400 dollarë do të jepen për fëmijën e parë dhe 1600 për binjakët.

Kreu i qeverisë deklaroi se zaptuesit profesionistë të Unazës së Re kërkojnë 30 milionë dollarë, për një pronë që nuk është e tyrja dhe se këto para duhet të merren nga buxheti, dhe duhet të hiqet nga bonusi për bebet dhe rrogat.

Duke iu referuar banorëve protestues, Rama tha se kanë disa prona pa leje dhe kërkojnë dëmshpërblim 100%.

Por Kryeministri u deklarua i prerë duke thënë se dëmshpërblim nuk do të ketë për "zaptuesit profesionistë". Sipas Kryeministrit, ata nuk duan shtëpi, por duan të kenë fshatin e tyre te Unaza e Re, sipas rregullave të tyre. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd