Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të enjte, duke etiketuar banorët e Unazës së Re, objektet e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe.
Duke publikuar videon të cilën noa.al sjell më poshtë, Rama shkruan, “Me këtë pasqyrë sqaruese të situatës ligjore në Unazën e Re, ku ndër ata që e quajnë veten në ‘proces legalizimi’, janë shfaqur edhe një kategori e panjohur më parë e zaptuesve profesionistë të trojeve publike a private, ju siguroj se s’ka asnjë shans që paligjshmëria të dëmshpërblehet me taksat tuaja dhe ju uroj një ditë të mbarë”.
Në video thuhet se janë 102 objekte me dokumente pronësie dhe 135 në proces legalizimi, ndërsa për pesë prej tyre nuk ka informacion.
Sqarohet se mbi 60% e banorëve kanë zhvilluar takime me Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe do të trajtohen me bonus qeraje për 3 vjet ose me banesa sociale.
Më tej thuhet se ka persona që kanë më shumë se një ndërtesë të pa legalizuar në disa zona të Shqipërisë.
Banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe prej afro 15 ditësh dalin përditë në protestë në protestë, duke kërkuar që të gjendet zgjidhje për ta, duke thënë se nuk do largohen nga banesat, pa u bërë kompensimi sipas vlerës së tregut.
Objektet që prishen nga projekti janë ato të ngritura nga zona e “Pallatit me shigjeta” e deri te sheshi “Shqiponja”, në të dy anët e rrugës. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd