Transmetuar më 21-11-2018, 13:27

Izet Haxhia kërkon përjashtimin e trupës gjykuese në Gjykatën e Apelit, e cila po shqyrton çështjen e tij. Kjo pasi nëpërmjet avokatit Bashkim Nikolla, ai kërkon që trupa të ketë kaluar procesin e vetingut.

Duke folur pas shtyrjes së seancës, avokati tha se me çështjen mund të merren nga Apelet e rretheve të tjera që e kanë këtë atribut dhe mund të zgjidhet një treshe e një trupi gjykues që ta gjykojë. Ai shtoi se kjo është një mënyrë e përligjur edhe herë të tjera.

“Kjo është një kërkesë e klientit tim dhe është plotësisht e përligjur, pasi në kërkesën që i paraqita gjykatës janë të treguara me detaje shkaqet përse duhet të jetë nga vetingu. Një nga shkaqet është sepse e gjithë kjo trupë gjyqësore që vazhdon të kryejë detyrën është krijesë e politikës shqiptare”, u shpreh Nikolla.

Ai shtoi më tej se procesi në të cilin përfaqëson Izet Haxhinë, ka ngjyrime politike.

Ish-truproja e Sali Berishës, është dënuar me 25 vite burg, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit.

Haxhia nuk e ka pranuar kurrë një akuzë të tillë, madje ka hedhur akuza të ashpra edhe në drejtim të ish-shefit të tij, liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha për rolin që sipas tij ka luajtur në ekzekutimin e Azemit.

Azem Hajdari u ekzekutua me armë zjarri më 12 shtator të vitit 1998, fare pranë selisë së Partisë Demokratike. /a.y/noa.al