Transmetuar më 21-11-2018, 10:40

Kryeministri Edi Rama është treguar i prerë me banorët e Unazës së Re, objektet e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe.

Gjatë takimit të përjavshëm për bashkëqeverisjes, kreu i qeverisë tha sot se ata banorë kanë ndërtuar pa leje dhe tani kërcënojnë se duan dëmshpërblim 100% nga taksat e qytetarëve.

Rama tha se ata janë shprehja më spektakolare e një degradimi total të të menduarit shoqëror dhe politik.

Në këtë drejtim shtoi se të kesh aplikuar për legalizim nuk do të thotë të legalizohesh medomes, nëse ngrehina bie në shtratin e rrugës, zonë arkeologjike, tubacionet e ujësjellësit apo kanalizimet, aty ku kalojnë zonat e energjisë elektrike etj.

Rama tha se janë të përcaktuara në ligj të gjitha rastet ku një objekt nuk mund të kthehet në një pronë të ligjshme, aty ku cenohet prona e përbashkët e komunitetit.

“Mbi ç’ligj dhe moral kërkojnë 100% dëmshpërblim bizneset shumëkatëshe?! Dëmshpërblim nga buxheti i shtetit, me të cilin rriten pagat dhe pensionet, për të dëmshpërblyer zaptuesit profesionistë që kanë ndërtuar nga 3-4 vila e biznese. Kjo është e papranueshme, ata njerëz të largohen nga rruga që kanë bllokuar dhe ti hapin rrugë zhvillimit. Të mos turpërojnë veten dhe familjen dhe të mos bëhen gazi i botës dhe mish për top i atyre të tjerëve, që si ka mbetur asgjë vetëm se tundin flamurin e opozitës, ku kërkojnë dëmshpërblim për paligjshmëri”, u shpreh Rama.

Banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe prej më se 15 ditësh dalin përditë në protestë në protestë, duke kërkuar që të gjendet zgjidhje për ta, duke thënë se nuk do largohen nga banesat, pa u bërë kompensimi sipas vlerës së tregut.

Objektet që prishen nga projekti janë ato të ngritura nga zona e “Pallatit me shigjeta” e deri te sheshi “Shqiponja”, në të dy anët e rrugës.

Nga vlerësimi i bërë në terren janë 317 objekte që preken, të cilat janë 163 janë në proces legalizimi. Ndërkohë kryebashkiaku Erion Veliaj tha se banorët që i kanë shtëpitë pa dokumente do marrin 3 vjet qira, ndërsa kush i ka godinat me letra do i marrë lekët e dëmshpërblimit kokërr më kokërr. /a.y/noa.al