Transmetuar më 21-11-2018, 10:12

Policia e Shtetit me anë të një video-mesazhi jep këshilla për drejtuesit e mjeteve, në kushtet e reshjeve të shiut, dëborës dhe akullit.

Ndër këshillat që jepen janë: Ndërro gomat verore me ato dimërore; Pastro mirë mjetin nga dëbora para udhëtimit; Në terren të akullt mos kryeni manovra të ashpra, rritet mundësia e rrëshqitjes.

Më tej sugjerohet që në ngjitje të përdoret marsh i ulët dhe të ecet me kujdes pa e shtuar gazin, por pa humbur shpejtësi.

Po ashtu thuhet se në dishezë për të ngadalësuar mjetin duhet zbritje e përshkallëzuar e marsheve.

“Qëndro larg mjeteve me distancë në udhëtim! Hapësira e frenimit në rrugë me dëborë dhe akull rritet dukshëm për shkak të uljes së koeficienteve të fërkimit. Mos e rrit shpejtësinë as në rrugë të drejtë. Në kthesën e parë kur rruga është me akull, do kesh vështirësi në manovrim. Një sy mbaje te mjeti para për të evidentuar pikat problematike në aksin rrugor”, këshillohet në vijim.

Sugjerohet që nëse ka dëborë në rrugë të mos kalohet në gjurmët e mjetit para, pasi gomat thellojnë kanalin dhe nëse ka shumë dëborë duhen vendosur zinxhirët në gomat aktive të mjetit.

Paralajmërohet se akulli është më i rrezikshëm se dëbora pasi mund të mos shihet ndaj duhet ecur me shpejtësi të ulët pa prekur frenat. /a.y/noa.al