Transmetuar më 20-11-2018, 13:22

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, reagon lidhur me protestën e banorëve të Unazës së Re, të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe.

Ai denoncoi disa elementë të një grabitjeje skandaloze sipas tij, që ndodh ditën për diell, që ndodh në sy të Prokurorisë dhe bie drejtpërsëdrejti mbi kurrizin e qytetarëve dhe u grabit jetën e gjakun e tyre.

“Ky segment rruge që fillon nga pallati me shigjeta siç e njohim e deri tek sheshi Sheshi Shqiponja të cilën ju e njihni të gjithë, është një segment 2200 metra apo thënë ndryshe 2.2 kilometra. Ky segment kushton 40 milionë euro. Pra me një mesatare 19 milionë euro për një kilometër rrugë. Ta dëgjojnë mirë qytetarët 19 milionë euro për një kilometër rrugë”, u shpreh Vasili.

Ai tha se është një rrugë që plotësohet dhe po zgjerohet, pra vetëm një plotësim rruge.

Sipas tij, 2.2 km rrugë është ndarë në tre copa të vogla, ku kanë konkurruar tre kompani dhe rivalë për çdo kompani në këtë tender ka qenë vetëm një kopani e cila ka konkurruar me një kontratë dhe ofertë 0 lekë.

“Pra kanë konkurruar me një kundërshtar 0 lekë, një firmë vëllezërit Hysaj. Në të treja rastet konkurron po e njëjta dhe oferta është 0 lekë. Pra këtu besoj që minimalisht po të kishim një Prokurori që do kishte minimumin e integritetit ligjor, se moral nuk po diskutojmë më, do të kishte filluar me shpejtësi hetimet dhe do të kishte hedhur kushedi sa pranga për sa i përket kësaj gjëje. Kthehemi tek çmimi i rrugës”, deklaroi Vasili.

Ai hoqi paralele duke thënë se Bypass-i i Vlorës kushton 35 milionë euro për 29 kilometra rrugë, ku i bie rreth 1.3 milion euro kilometri rrugë e re.

Madje e cilësoi si 8-9 herë vjedhje dhe si një hajdutëri dhe grabitje nga më të frikshmet. Këto nuk janë shifrat e mia, këto janë shifra publike.

Vasili pyet se pse nuk u bë tenderi i hapur ndërkombëtar për këto 2.2 km që kushtonin 40 milionë euro, pasi me çmimet normale kjo rrugë do të kushtonte shumë herë më pak

“Rrugët e reja kushtojnë 7-8 herë më pak ndërsa rrugë plotësuese, plotësim, rregullim, kushton 9 herë më shumë. Besoj tashmë është shumë e qartë për këdo që këtu kemi të bëjmë me një mega grabitje, në sytë e të gjithë qytetarëve, ku kurajo për të grabitur është sheshit dhe ku praktikisht, bashkëqeverisja me qytetarët, aq shumë e proklamuar nga mashtruesit publik që qeverisin vendin është shndërruar në një dimension të ri. Ku në shpellën e Bashkisë dhe në shpellën e qeverisë, janë ngujuar dy shpellarë, një kryeministër dhe një kryebashkiak”, deklaroi Vasili.

Ai shtoi se qytetarët e lirë të ndershëm, të denjë për të jetuar në Tiranë, ata që kanë dhënë emrin, pulsin që i japin ritmin Tiranës, ata për të cilët Tirana ekziston janë atje në rrugë të madhe, pasi shpellarët e qeverisë dhe të Bashkisë, u kanë rrëmbyer pushtetin, ua mbajnë atje të mbërthyer në shpellë dhe detyrojnë njerëzit të jenë në mizerje në skamje dhe të luajnë me jetën me gjakun dhe djersen e fëmijëve.

Vasili tha se qytetarët janë në të drejtën e tyre, jo vetëm për protestën por dhe gjithë qytetarët e tjerë, pasi me këtë ritëm dhe me këtë shfrenim, kjo vjedhje pa kufij sipas tij, do ta fus Shqipërinë në një mjerim pa kthim.

Banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe prej më se 15 ditësh dalin përditë në protestë në protestë, duke kërkuar që të gjendet zgjidhje për ta, duke thënë se nuk do largohen nga banesat, pa u bërë kompensimi sipas vlerës së tregut.

Objektet që prishen nga projekti janë ato të ngritura nga zona e “Pallatit me shigjeta” e deri te sheshi “Shqiponja”, në të dy anët e rrugës.

Nga vlerësimi i bërë në terren janë 317 objekte që preken, të cilat janë 163 janë në proces legalizimi. Ndërkohë kryebashkiaku Erion Veliaj tha se banorët që i kanë shtëpitë pa dokumente do marrin 3 vjet qira, ndërsa kush i ka godinat me letra do i marrë lekët e dëmshpërblimit kokërr më kokërr./a.y/noa.al