Transmetuar më 15-11-2018, 16:06
Taulant Muka

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka, dha dorëheqjen sot nga posti që mbante prej dy javësh.

Dorëheqja i është dorëzuar kryeministri Edi Rama dhe per dijeni, ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.

Ajo vjen vetëm një ditë pasi Muka kishte lajmëruar përmes rrjeteve sociale se “do të bëjmë rankimin e akademikëve shqiptarë sipas produktit shkencor për të evidentuar shkencëtarët shqiptarë që jetojnë në Shqipëri”.

“Për arsye etike, morale dhe profesionale dhe të papajtueshmërisë që unë kam me modelin e punës të aplikuar në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ju paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.”, thuhet ndër të tjera në motivacionin e Taulant Mukës.

NOA.al kërkoi një koment nga z.Muka mbi dorëheqjen dhe është ende në pritje.

Taulant Muka u emërua zëvendësministër në datën 31 tetor me një vendim të Këshillit të Ministrave.

Emërimi me VKM erdhi pas dorëheqjes së Ervin Demo i cili u akuzua për plagjiaturë.

Muka, edhe ditë para se të emërohej zv/ministër, shigjetonte fort atë që ai e quante plagjiaturë në sistemin arsimor shqiptar.

Në rrjetet sociale, ka pasur polemika të shumta, sidomos mbi karrierën arsimore dhe profesionale të Mukës.

Ai është përballur me pyetje mbi arsimin që ka kryer dhe titullin akademik që thotë se ka.

Në këto polemika, Muka i është përgjigjur ish-zv/ministres së Financave, Irena Beqiraj, duke thënë se është akademik pasi “Akademik nuk është term që përdoret vetëm për anëtarët e Akademisë së Shkencave” dhe se është “i atashuar në dy universitete në Holandë dhe Zvicër si dhe ka mbi 60 publikime shkencore në revistat më të mira në botë në fushën e mjekësisë”. /noa.al/