Transmetuar më 15-11-2018, 09:09

Konkursi për gradën “Komisar” në radhët e policisë është shtyrë pa afat, teksa pritej që të mbahej ditën e sotme.

Mësohet se drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ka anuluar datën e sotme për përsëritjen e provimit, i cili për herë të parë u mbajt më 7 nëntor.

Por ky konkurs u shpall i pavlefshëm, për shkak se u konstatua se ishte kopjuar në masë, pasi përgjigjet kishin dalë më parë.

Në datën 7 nëntor rreth 400 punonjës policie në ambientet e Akademisë se Policisë konkurruan për gradën "Komisar" ku iu nënshtruan një testi quiz me alternativa.

Nga kontrolli i testit rezultoi se 177 kandidatë kishin marrë më shumë se 70 pikë dhe u shpallën fitues.

Drejtori i përgjithshëm i policisë Ardi Veliu e shpalli ketë konkurrim te pavlefshëm pasi rezultoi se teza e zgjidhur e testit ishte vjedhur dhe ishte marrë nga aplikantët para nisjes së konkurrimit.

Sakaq Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka nisur hetimet për komisionin që monitoroi provimin, i cili kryesohej nga Aida Hajnaj. /a.y/noa.al