Frikë për arrati pas Gruevskit, arrestohet ish-ministri i Transporteve
Transmetuar më 14-11-2018, 09:11
ikolla Gruevski, Mile Janakievski

Ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve në Maqedoni, Mile Janakievski, është vënë në prangat e policisë.

Arrestimi i tij është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale Publike të Maqedonisë.

Krahas Janakievskit, është arrestuar edhe ish- sekretari gjeneral i qeverisë në kohën e VMRO-DPMNE, Kiril Bozinovski.

Prangosja e tyre është bërë gjatë mbrëmjes së lënë pas, pasi druhej arratisja e tyre.

Kjo masë vjen pasi ish-Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, gjatë ditës së djeshme bëri me dije se ndodhet në Hungari, ku dhe ka kërkuar azil politik.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Gruevski shkroi se gjatë ditëve të fundit, ka marrë shumë kërcënime me jetë.

“Unë jam në Budapest dhe kam kërkuar azil politik nga autoritete Hungareze. Gjithmonë do t’i jem besnik kauzës për Maqedoninë, asnjëherë nuk do të heq dorë”, shkroi ish-kryeministri.

Sakaq policia e Maqedonisë është vënë në kërkim të Gruevskit, pas lëshimit të urdhër-arrestit nga Gjykata Themelore e Shkupit.

Ish-kreu i qeverisë së Maqedonisë me vendim gjykate duhet të ishte në burg.

Kjo pasi akuzohet për shpërdorim detyre në rastin e blerjes së makinës luksoze qeveritare, me vlerë prej 600 mijë euro.

Të dy janë nën hetim në lëndën “Talir” ndërsa janë të akuzuar edhe në disa raste tjera mes të cilave edhe “Titaniku”.

Të arrestuarit akuzohen për shkelje të së drejtës së votimit, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim i materialit zgjedhor dhe keqpërdorim i mjeteve për financim të fushatës zgjedhore në vitin 2012. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...