Transmetuar më 13-11-2018, 18:31

Pasditen e sotme banorët që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së Re kanë dalë sërish në protestë.

Ata kanë bllokuar rrugën duke djegur edhe goma. Me pankarta në duar dhe me thirrjet “Jemi qytetarë nuk jemi shpellarë si dhe poshtë hajdutët”, ata kërkuan të mos preken shtëpitë e tyre.

Pak minuta më parë, kaloi një ambulancë, por banorët i hapën rrugën po me të njëjtën thirrje.

Me dhjetëra automjete kalojnë trafik ndarëset nga krahu tjetër ose kthehen pas, për të shmangur ngecjen në trafik.

Në mbështetje të tyre kanë dalë edhe deputetë të Partisë Demokratike.

Janë rreth 300 familje që preken projekti i ndërtimit të Unazës së Re.

Paraditen e sotme banorët protestuan përpara bashkisë së Tiranës, duke tentuar edhe futjen me forcë brenda ambienteve të bashkisë.

Nga ana e tij Kryebashkiaku Erjon Veliaj deklaroi më herët se 99% e qytetarëve të “Astirit” janë pro projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe.

Veliaj shtoi nga salla e këshillit bashkiak se projekti për zgjerimin e Unazës së Re nuk ka asnjë shans të ndalet pavarësisht protestave.

Veliaj u shpreh i sigurt se në fund të këtij debati në fund do fitojë qyteti dhe civilizimi./b.l/noa.al/

FOTOGALERI