Transmetuar më 11-11-2018, 21:31

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas deklaratës së fundit të bërë, nga kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij, fyen simbolet tona kombëtare.

Me anë të një statusi në Facebook, Berisha shkruan se "të krahasosh shqiponjën dykrenare me Korbin e Edgar Allan Poe, kjo është fyerje kombëtare për çdo shqiptar anë e mbanë vendit".

"Krahasimi nga Zografi i dytë i shqiponjës dykrenare të flamurit të kombit, flamurit të Skënderbeut, me korbin e Edgar Allan Poe’s, është përdhosje e flamurit kombëtar i qindra mijëra burrave, grave, të rinjve, të rejave që ranë për flamur në të gjitha luftërat e shqiptarëve për liri, nga betejat e Skënderbeut tek luftërat e fundit në Kosovë dhe Maqedoni, është fyerje, poshtërim për çdo shqiptar, për hymnin kombëtar dhe çdo gjë shqiptare", shkruan Berisha.

Ai e vijon më tej postimin e tij duke thënë:

"Le t’i themi Zografit të dytë se, ty që të duket simboli i kombit si korb, flamuri i të gjallëve dhe të vdekurve të një kombi që e urren, në postin e kryeministrit nuk je gjë tjetër veçse një m… në një copë mendafshi o faqezi apatrid".

Berisha ka publikuar edhe statusin e kryeministrit Rama që vijon si më poshtë:

“Kurrë vulgariteti s’kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal, se sa në rastin e kësaj “shqiponje” në mesin e një skenografie pseudoklasike prej hyrjeje në kazino, që natën e bënte hyrjen e Tiranës si skenën e një filmi nga një tregim i Edgar Alllan Poe-s! Më në fund.”-/a.k/noa.al/