Transmetuar më 11-11-2018, 14:20

Kryedemokrati Lulzim Basha, reagon pak minuta pas Kryeministrit Edi Rama lidhur me heqjen e “Shqiponjës”, nga rrethrrotullimi që çon për në autostradën Tiranë-Durrës dhe Kamëz.

“Kur zgjedh për simbol hashashin, Shqiponja Kombëtare të duket vulgaritet”, shkruan Basha.

Ai thotë se për Ramën çfarë nuk sjell para në xhepat e tij dhe oligarkëve është pa vlerë, ndaj shkatërroi “Shqiponjën” e 100-vjetorit të Pavarësisë, për miliona euro që sipas kryedemokratit, i jep një kompanie fantazëm dhe nën sekuestro.

Më herët Rama tha se asnjëherë më parë vulgariteti nuk ishte ngjitur në piedestal.

“Kurrë vulgariteti s’kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal, se sa në rastin e kësaj ‘shqiponje’ në mesin e një skenografie pseudoklasike prej hyrjeje në kazino, që natën e bënte hyrjen e Tiranës si skenën e një filmi nga një tregim i Edgar Alllan Poe-s! Më në fund u hoq”, shkroi Rama.

Statuja e “Shqiponjës” e derdhur me në çelik të rëndë, me lartësi 10 metra shqiponja, 6 metra e lartë dhe me bazament katër metra, u vendos me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë në nëntor të vitit 2012.

Heqja e saj u bë për t’i hapur rrugë projektit për ndërtimin e “Unazës së Re”.

Sakaq në vend të “Shqiponjës”, projekti parashikon ndërtimin e një mbikalimi. /a.y/noa.al