Transmetuar më 10-11-2018, 20:44

E ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ Doda tha se i qëndron deklaratave të saj për praninë e deputetëve shqiptarë e grekë në bulart ditën e varrimit të 35 vjecarit Kostandin Kacifas.

“E kuptoni që po mundohen të krijojnë mite të rreme. Një terrorist nuk mund të trajtohet si hero. U tentua nga të gjithë përfaqësuesit politik atje që  të amnistohej vepra që 35-vjecari kishte bërë dhe të trajtohej si hero. Nga ana njerëzore shpreh keqardhje per humbjen e jetës, por personi në fjalë nuk ishte personi për ti shprehur nderime përfaqësues të parlamentit. Ky ishte turpi i tyre, jo i atij që në fund bëri një vepër prej të marri.”-tha Doda.

Ndër të tjera Doda komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Rama për zhvillimet në Bularat, për të cilin kërkoi të përdor një gjuhë më të kujdesshme.

“Nuk je aty si hokatari Edi Rama, por je si kryeministri Edi Rama, ndaj do të duhet që të kesh një gjuhë politike më të përmbajtur dhe prej shtetari, që mesa duket me gjithë vitet në pushtet, nuk po arrin ta mësojë ose nuk do ta mësojë.”- deklaroi Doda.

Si ish kryetare e AMA-s, Doda komentoi edhe transmetimin e ceremonisë mortore të Kacifas.

‘Nuk ka asnjë kuptim të mitizohet një person që nuk ishte për t’u mitizuar. Dhe dhënia e kësaj hapësire ndihmon në krijimin e kësaj klime që i jep frymëmarrje ekstremeve të politikës. Mund të ketë qenë zgjedhje interesante për lajmin, por nga ana e personave në varrim pati një agresion edhe ndaj medias shqiptare. Ndaj mësë paku ka edhe një reagim nga ana e medias, më së paku nuk i jepet hapësirë krijimit të një miti të rremë. Gjithësesi të paktën arritëm të kuptonim deri ku ishin të gatshëm të kalonin segmente ultranacionaliste të shtetit fqinj’ – vijoi ndër të tjera Doda, ndërsa theksoi se situata është më e rëndë nga sa mund të mendohet.