Transmetuar më 10-11-2018, 14:38

Eurodeputetja qipriote, Eleni Theocharous shpallet non grata në Shqipëri.

Vendimi i është propozuar ministrisë së Brendshme nga ministria e Jashtme.

Në një dalje për mediat, këshilltari i ministrit të Jashtëm, Glevin Dervishi bëri publik lajmin, ndërsa eurodeputetja ishte e pranishme në Bularat, në ceremoninë mortore të Kostandinos Kacifa.

“Në bashkëveprim ndërinstitucional dhe pas vlerësimit të kryer nga institucionet e specializuara, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i propozoi Ministrisë së Bredshme shpalljen non grata (person i padëshirueshëm në Shqipëri) të eurodeputetes qipriote Eleni Theocharous”, tha Dervishi.

Ai i quajti ato që ndodhën në Bularat si shfaqja e orkestruar dhe provokim agresiv, që nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet mes vendeve.

Dervishi deklaroi se fqinjët grekë janë një aset i vyer, dhe akte të tilla nuk do të mund të minojnë asgjë.

“Greqia mike e populli i saj janë një aset shumë i vyer në kapitalin e miqësive tradicionale të Shqipërisë e të popullit shqiptar. Elementë apo grupe ekstremiste që në greqisht apo edhe në shqip, flasin një gjuhë të përbashkët urrjetjeje e përçarjeje, e cila nuk ka lidhje me gjuhën europiane që bashkon popujt e shtetet tona, s’do të kenë asnjë shans të minojnë rrugën tonë të përbashkët të paqes e të bashkëpunimit strategjik në funksion të së ardhmes që meritojnë fëmijët e sotem të Shqipërisë e të Greqisë”, përfundoi Dervishi.

Ndërkohë, eurodeputetja tha pak ditë më parë se kjo çështje duhet të dërgohet në Parlamentin Europian. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd