Transmetuar më 09-11-2018, 13:13

Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, reagon lidhur me deklaratën e deputetit demokrat Oerd Bylykbashi, i cili kërkoi arrestimin e tij.

Dako thotë se Oerd Bylykbashi bën kompetentin në Tiranë ku nuk njeh askush dhe se në Durrës është personazhi më i pavotuar i Partisë Demokratike.

Kryebashkiaku i Durrësit thotë se Bylykbashi e di shumë mirë që koha kur PD-ja i merrte votat në Durrës me figura serioze qytetare dhe me burgaxhinj me leje 10 ditore në fshat, ka vdekur.

Sipas tij, figurat qytetare të PD ka kohë që votojnë Vangjush Dakon dhe Oerdi e di mirë, sepse nuk kanë si i shkojnë mbrapa Oerdit që s’merr as votat e shtëpisë së vet dhe e mbante Sokol Olldashi “i shkretë” si sekretar nga mbrapa.

“Ndërsa koha e burgaxhinjve, koha e Lentit tënd që nxirreshin për të rrahur njerëzit e PS në Ishëm e nëpër fshatra, ka vdekur, vdiq bashkë me Saliun. Sot votat merren me punë e me fushata ku PS-së s’i del dot para jo Oerdi po askush. Sa takime bëj unë në 24 orë, Oerdi që fle gjumë në drekë s’ka për t’i bërë dot as në 24 vjet politikë! Më vjen keq se e kam banor timin, po s’kam çfarë i bëj, do e fus në listën e gjyqeve me vemjet e tjera të Lul Peshkut dhe po ja përsëris: Harroje Durrësin si politikan Oerd! Shijo si qytetar ndryshimet që kam bërë dhe do të bëj unë bashkë me qeverinë time, po si politikan je i mbaruar. Shyqyr që të fut Lul Peshku të parin në akuariumin e PD-së së Durrësit dhe të çon në parlament brenda në akuarium, se ty edhe moma jote ta jep votën për konflikt interesi se për bindje është edhe më e majtë se unë!”, shkruan Dako.

Më herët deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, tha se Partia Demokratike kërkon arrestimin dhe gjykimin pa vonesë të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dakos.

Ai u shpreh se faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos, janë të qarta dhe për këtë krim, ai duhet të jetë në burg.

“Përgjimet e dosjes 339 kanë faktuar se Vangjush Dako është në komunikim të vazhdueshëm me bandat para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Janë pikërisht ato banda që sot po marrin tendera, licenca dhe leje ndërtimi në Durrës. Dosja 339 provon modelin e marrjes se pushtetit nga Edi Rama nëpërmjet shkëmbimit te pasurive publike tek bandat, për votat e blera apo grabitura nga këto banda për llogari të tepsisë së Edi Ramës”, u shpreh Bylykbashi ditën e sotme, në një dalje për mediat.

Ai shtoi se Vangjush Dako duhet të arrestohet pa vonesë dhe se çdo ditë në liri ai shkatërron prova dhe manipulon dëshmitarët, i ndihmuar plotësisht nga kryeministri i vendit Edi Rama.

Sipas Bylykbashit, krimi elektoral ka bllokuar rotacionin demokratik dhe qeverisjen e shtetit të së drejtës.

Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se në Shqipëri nuk ka për të patur as drejtësi, as luftë kundër krimit dhe asnjë zhvillim normal pa u ndëshkuar krimi elektoral që mban në pushtet qeverinë ilegjitime të Edi Ramës. /a.y/noa.al