Transmetuar më 09-11-2018, 11:59

Ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Ramadan Troci, i cili po i nënshtrohet procesit të vetingut.

Ai po verifikohet me përparësi për shkak se kandidon për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Duke mos u paraqitur vetë në seancë, Troci u përfaqësua nga avokati Ardian Leka.

Nga verifikimet e kryera KPK konstatoi se nga deklarata e pasurisë në ILDKPKI, rezulton që prokurori të ketë bërë deklarim të rremë, duke u konstatuar fshehje.

Relatorja e çështjes Pamela Qirko deklaroi se pasuritë nën hetim janë një apartament banimi 108.7 m2 i ndodhur ne Kashar, ku si burim i blerjes së kësaj pasurie janë deklaruar 2.9 milionë lekë të reja kursime nga ai dhe bashkëshortja dhe kredi 2.5 milionë lekë.

Burimet për blerjen e apartamentit rezultojnë të ligjshme, por ka dyshime lidhur me 7 milionë lekë të vjetra të ardhura të deklaruara nga gruaja, të cilat janë transferuar në llogari bankare nga nëna e saj.

Po ashtu pikëpyetje janë ngritur edhe lidhur me të ardhurat për blerjen e një makine 7 milionë lekë të vjetra.

Prokurori Ramadan Troci, njihet si urdhëruesi i arrestimit të ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd