Transmetuar më 08-11-2018, 13:39

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj priti sot në një takim zyrtar Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputetin Knut Fleckenstein, i shoqëruar nga  ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.

Reforma në drejtësi dhe ngritja e institucioneve të reja, lufta kundër korrupsionit, reforma në sistemin penitenciar dhe masat e reja për forcimin e sigurisë së brendshme si dhe reforma e pronës ishin temat kryesore të diskutimit.

Ministrja e Drejtësisë e njohu raportuesin e PE me ecurinë e deritanishme të reformës në drejtësi, rezultatet e së cilës i ka konsideruar si mjaft të mira dhe është ndalur në veçanti në ecurinë e procesit për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, për të cilat tha se pritet të përfundojë shumë shpejt.

Për sa i përket masave në luftën kundër korrupsionit, ministrja Gjonaj ka theksuar se mekanizmi i ngritur nga qeveria po funksionon me efikasitet të plotë, duke evidentuar dhe ndëshkuar një numër të konsiderueshëm drejtuesish dhe nëpunësish të administrates. Task Forca Antikorrupsion në bashkëpunim edhe me institucionet e tjetra ligjzbatuese ka dërguar në prokurori për ndjekje penale 35 zyrtarë të lartë, ndërkohë që janë marrë rreth 400 masa të tjera disiplinore.

Duke folur për reformën në sistemin penitenciar, ministrja Gjonaj ka evidentuar masat më të fundit të marra nga Qeveria për rritjen e sigurisë së brendshme në burgje, duke vendosur një regjim të posaçëm për të dënuarit apo të paraburgosurit që akuzohen për krim të organizuar, trafiqe të paligjshme, apo terrorizëm. Ky regjim, për të cilin ka nisur zbatimi sipas modelit Italian “41-bis”, do të bëjë të mundur parandalimin e aktivitetit kriminal që të dënuar me rrezikshmëri të lartë tentojnë të zhvillojnë nga brenda ambjenteve të burgjeve.

Reforma e pronës, ka qenë një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar në takim. Ministrja Gjonaj e ka informuar Fleckenstein me ndryshimet ligjore të bëra së fundmi, për riorganizimin e institucioneve të pronësisë dhe rishikimin e kuadrit ligjor.

Sipas saj kjo është një reformë historike, sepse synon t’i japë fund një situate kaotike që ka mbizotëruar në vend për më shumë se dy dekada. Për ministren Gjonaj krijimi i një agjencie të vetme për çështjet e Tokës do të përmirësojë ofrimin e shërbimit ndaj qytetarëve duke mos i sorrollatur ata nga një agjenci e pronave tek tjetra.

Nga ana e tij Raportuesi i PE, Knut Fleckenstein vlerësoi përpjekjet e mëdha që janë bërë jo vetëm në Reformën në Drejtësi por edhe në proceset e tjera si lufta kundër korrupsionit, reforma e tokës dhe sistemin penitenciar.

Ai kërkoi të vazhdohej në rrugën e nisur duke përshpejtuar proceset dhe shprehu gatishmërinë e plotë për të mbështetur zbatimin e reformave shtetformuese.