Transmetuar më 08-11-2018, 10:51

Pak orë ndajnë nga funerali i minoritarit grek Kostandinos Kacifas, i cili mbeti i vrarë 12 ditë më parë nga shkëmbimi i zjarrit me policinë.

Mediat greke, kanë publikuar ditën e sotme mesazhin e kryepeshkopit Anastas Janullatos, duke përsëritur thirrjen e tij.

“Le të varroset trupi i Kostandino Kacifas sipas traditës fetare. Le të kthjellohen shpirtrat e të gjithëve. Le të ndalojë zhurma e papërgjegjshme”, thuhet në mesazhin e Janullatos.

Më tej shtohet se të tjerat mund të shqyrtohen në vazhdim, me objektivitet dhe respekt reciprok.

Sakaq ministria e Jashtme greke u bën thirrje qytetarëve të saj që do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit, që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe respekt.

Kacifas do të përcillet për në banesën e fundit, në orën 13.00 të ditës së sotme, ndërsa shpenzimet për funeralin e tij janë marrë përsipër nga bashkia e Dropullit.

35-vjeçari Kacifas mbeti i vrarë nga RENEA më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.

Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.

Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare. /a.y/noa.al

I mbuluar me flamurin grek, pamjet e rënda nga trupi i pajetë i Kacifas

Funerali i Kacifas, disa ekstremistë grekë nuk lejohen të hyjnë në Shqipëri