Transmetuar më 08-11-2018, 10:11
Edison Harizaj, Genci Caci

Atentati me pasojë dy të vdekur i shënuar mbrëmjen e kësaj të marte në Durrës, dyshohet të jetë porositur nga Belgjika për hakmarrje.

Gjithçka lidhur me të kaluarën e errët të viktimës Edison Harizaj 39 vjeç dhe të shokut të tij Genci Caci, 33 vjeç.

Dyshohet se prej më se 15 vitesh, dy viktimat janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale, përfshirë edhe vrasje.

Madje Harizaj dyshohet të ketë gisht në zhdukjen e të riut vlonjat Albano Xhaferri, prej të cilit që nga muaji qershor nuk ka asnjë gjurmë.

Kjo pasi dyshohet se Xhaferri i cili prej pak kohësh ishte kthyer nga Belgjika në Shqipëri, mendohet të jetë ngarkuar të mbante nën vëzhgim dy viktimat, me synim që t’iu bëhej atentat.

Dyshohet se për porosinë e marrë nga Xhaferri ishte vënë në dijeni edhe shoku i tij Elton Troqe, i cili njëlloj si Albani u zhduk pa gjurmë pak ditë pas tij, ku dyshohet se mund të jenë vrarë.

Pas këtyre zhvillimeve Harizaj u largua nga Vlora, për të jetuar në një banesë me qera në Durrës. Kësisoj dyshohet se Harizaj dhe Caci, u vranë në një atentat të mirëorganizuar dhe të porositur nga Belgjika.

39-vjeçari vlonjat, Edison Harizaj, në momentin e atentatit udhëtonte me makinën e tij “Audi A8”, bashkë me shokun e tij Genci Caci, i cili mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë një ditë më vonë në spital, mbetën të vrarë në lagjen nr.18 të Durrësit.

Harizaj ishte i skeduar nga policia, madje rezulton i dënuar për vrasje, si dhe i përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikut të drogës, kryesisht në Belgjikë.

Kjo pasi në policinë shqiptare, autoritetet belge kishin sinjalizuar për një dosje hetimore për trafik droge, ku rezultonte i përfshirë edhe Edison Harizaj.

Dyshohet se 39-vjeçari i cili njihej si një nga “të fortët” e Vlorës është nxjerrë në pritë, për shkak se ekzekutimi ndodhi në një zonë pa ndriçim të Durrësit.

Krimet për të cilat dyshohet i përfshirë Harizaj

Viktima Edison Harizaj njihej si një nga të fortët e Vlorës, dhe kishte tre pseudonime.

I pari daton që nga vegjëlia “Edison Faqedjeguri”, për shkak të një njolle në faqe, si pasojë e një djegie në fëmijëri.

I dyti është “Il Padrino” ose padrinoja, për shkak të ndikimit që kishte në botën e krimit në Vlorë.

Ndërsa i treti është “Edisoni i shtatë pallateve”, për shkak se rrinte në zonën e njohur si “Shtatë pallatet” në Vlorë.

Ai njihet edhe si anëtar i grupit të Emiljano Shullazit, i dënuar me dhjetë vite burg për vrasje, dënim të cilin e kishte vuajtur në burgun e Fushë Krujës, prej nga dyshohet se përfitoi lirinë në vitin 2010 duke paguar para.

Edison Harizaj, mbeti i vrarë teksa udhëtonte me makinën tip “Audi A8”, bashkë me shokun e tij Genci Caci 33 vjeç, i cili mbeti i plagosur, në lagjen nr.13 të Durrësit.

Harizaj mendohet se ka qenë i përfshirë në atentatin me eksploziv ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili gjeti vdekjen pasi makina e tij u hodh në erë në mes të Vlorës, në 9 shtator të vitit 2011.

Po ashtu Harizaj, rezulton person me precedentë penalë, ndërkohë që dyshohet të jetë i përfshirë në zhdukjen e Albano Xhaferrit, në Vlorë.

Albano Xhaferri është deklaruar i zhdukur qysh prej 18 qershorit, ditë nga kur familjarët nuk kanë pasur asnjë kontakt me të.

Ai prej pak kohësh ishte kthyer nga Belgjika drejt Vlorës. Familjarët kanë thënë në polici, se Albano doli nga banesa pas një telefonate nga një i njohur i tij dhe se pikërisht ky i njohur e ka marrë të riun në makinë, për të mos e kthyer më mbrapsht.

Ndërkohë pak ditë pas Xhaferrit, është zhdukur në rrethana ende të paqarta edhe shoku i tij me të cilin ishin kthyer së bashku nga Belgjika, Ervis Troqe. /a.y/noa.al