Transmetuar më 08-11-2018, 07:28

Mbahet pak pas mesditës së sotme në orën 13.00, plotë 12 ditë pas vrasjes, funerali i Kostandinos Kacifas, i cili mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Në pikën kufitare të Kakavijës kanë kaluar në orët e para të mëngjesit të sotëm, disa autobusë me shtetas grekë, të cilët janë nisur nga Athina dhe qytete të tjera, për të marrë pjesë në funeralin e 35-vjeçarit.

Ata janë shprehur se nuk e kishin familjare Kacifas, por se e meriton nderimin, duke e cilësuar heroin e tyre.

Para ceremonisë funerale në nderim të Kacifas, do të mbahet një meshë në kishën e Shën Athanasit, para se viktima të prehet në varrezat e fshatit Bularat.

Ndërkohë bashkia e Dropullit, ka marrë vendim për të mbuluar gjithë shpenzimet e ceremonisë mortore.

Mediat greke kanë paralajmëruar se në funeralin e tij do të mbërrijnë rreth 2000 shtetas grek.

Kakavije, autobuset per Kacifas on Vidnews.

35-vjeçari Kacifas mbeti i vrarë nga RENEA më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.

Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.

Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare. /a.y/noa.al