Transmetuar më 29-10-2018, 07:29

Një e diel e mbushur me momente terrori për banorët e fshatit Bularat në Gjirokastër, ku pas të shtënave me armë në ajër dhe ndaj policisë, 35-vjeçari Kostandions Kaçifa mbeti i vrarë.

Por ish-kreu i organizatës politike ‘Omonia’ Leonidas Papas, i cili përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri, duke folur për mediat tregon si nisi gjithçka.

Ai pretendon se Kaçifas nuk donte të vriste asnjë, por se u inatos kur nuk e gjeti flamurin grek, të cilin e ngrinte çdo vit në të njëjtin vend.

Sipas tij, çdo vit në sheshin e fshatit ai vendoste një flamur shumë të madh grek.

“Ai e tregonte shumë patriotizmin e tij. Ai donte të tregonte fort identitetin e tij dhe çdo vit ai e vendoste këtë flamur të madh. Pra, në mëngjes ai nuk e gjeti flamurin dhe pa disa policë para tij. Ai supozoi se policia shqiptare kishte hequr flamurin nga pika që e kishte vënë çdo vit. Ishte irrituar, pas një debati me fjalë me policinë. Një nga oficerët e policisë tregoi armën e tij, dhe ai u tensionua dhe mori armë e tij dhe qëlloi në ajër për ti kërcënuar. Ai nuk kishte ndërmend të vriste askënd”, u shpreh Papa.

Ai shton së nëse do donte të vriste njeri, do e kishte bërë, por nuk ishte ky synimi i tij.

Lidhur me ngjarjen Policia e Shtetit tha se fillimisht ishte raportuar se në fshat ka pasur të shtëna me armë. Dhe sapo policia mbërriti në zonë, është hasur me të shtënat e të riut.

“Në momentin e mbërritjes në vend, punonjësit e Policisë janë sulmuar me armë zjarri nga një person i veshur me uniformë ushtarake. Nga zjarri i hapur kundër personelit të policisë u godit dhe u dëmtua automjeti i policisë”, sqarohet nga Policia e Shtetit.

Në këto kushte, policia ka kërkuar edhe mbështetje me efektivë shtesë, si dhe janë vënë në ndjekje të autorit të sulmit me armë.

Kështu, në ndihmë të punonjësve të policisë kanë mbërritur shërbime të tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe grupi hetimor.

Gjatë ndjekjes nga forcat e ardhura të policisë, shtetasi i armatosur ka hapur përsëri zjarr në drejtim të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Nisur nga rrezikshmëria që paraqiste shtetasi, i identifikuar si Kostandions Kaçifa, 35 vjeç, lindur dhe banues në Bularat Gjirokastër, policia vendore ka kërkuar menjëherë ndihmën e forcave speciale për të bërë të mundur përballimin e sitatës së pazakontë për forcat vendore, thotë policia.

Po ashtu, është kontrolluar edhe banesa e tij, por nuk është gjetur në shtëpi. Më vonë, forcat speciale kanë bërë të mundur lokalizimin e tij në një shpat mali mbi fshatin Bularat.

Në momentin e zbulimit nga forcat e policisë, Shtetasi Kostandinos Kaçifa , ka hapur menjëherë zjarr ndaj tyre.

Forcat speciale janë pozicionuar për të mbrojtur jetën e tyre dhe nëpërmjet megafonit i kanë bërë thirrje të herëpashershme shtetasit që vijonte të qëllonte me armë që të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit.

Kaçifa ka vijuar të qëllojë kundër forcave speciale për gati 30 minuta, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Në kundërpërgjigje, të forcave speciale gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi Kostandinos Kaçifa, thuhet në reagimin e policisë.

Në vendngjarje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë automatike, model Kallashnikov, dy karikatorë municioni, një çantë me fishekë luftarakë, si dhe 31 gëzhoja. Në banesën e shtetasit Kaçifa u sekuestrua edhe një uniformë kamuflazh. /a.y/noa.al