Transmetuar më 28-10-2018, 19:28

Policia e Shtetit ka reaguar për herë të parë mbi dinamikën e ngjarjes në Bularat të Gjirokastrës, ku mbeti i vrarë 35-vjeçari Kostandions Kaçifa.

Sipas versionit të policisë shqiptare, fillimisht ishte raportuar se në fshat ka pasur të shtëna me armë.

Dhe sapo policia mbërriti në zonë, është hasur me të shtënat e të riut.

“Në momentin e mbërritjes në vend, punonjësit e Policisë janë sulmuar me armë zjarri nga një person i veshur me uniformë ushtarake. Nga zjarri i hapur kundër personelit të policisë u godit dhe u dëmtua automjeti i policies”, sqarohet nga Policia e Shtetit.

Në këto kushte, policia ka kërkuar edhe mbështetje me efektivë shtesë, si dhe janë vënë në ndjekje të autorit të sulmit me armë.

Kështu, në ndihmë të punonjësve të policisë kanë mbërritur shërbime të tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe grupi hetimor.

Gjatë ndjekjes nga forcat e ardhura të policisë, shtetasi i armatosur ka hapur përsëri zjarr në drejtim të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Nisur nga rrezikshmëria që paraqiste shtetasi, i identifikuar si Kostandions Kaçifa, 35 vjeç, lindur dhe banues në Bularat Gjirokastër, policia vendore ka kërkuar menjëherë ndihmën e forcave speciale për të bërë të mundur përballimin e sitatës së pazakontë për forcat vendore, thotë policia.

Po ashtu, është kontrolluar edhe banesa e tij, por nuk është gjetur në shtëpi. Më vonë, forcat speciale kanë bërë të mundur lokalizimin e tij në një shpat mali mbi fshatin Bularat.

Në momentin e zbulimit nga forcat e policisë, Shtetasi Kostandinos Kaçifa , ka hapur menjëherë zjarr ndaj tyre.

Forcat speciale janë pozicionuar për të mbrojtur jetën e tyre dhe nëpërmjet megafonit i kanë bërë thirrje të herëpashershme shtetasit që vijonte të qëllonte me armë që të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit.

Shtetasi Kaçifa ka vijuar të qëllojë kundër forcave speciale për gati 30 minuta, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Në kundërpërgjigje, të forcave speciale gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi Kostandinos Kaçifa, thuhet në reagimin e policisë.

Në vendngjarje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë automatike, model Kallashnikov, dy karikatorë municioni, një çantë me fishekë luftarakë, si dhe 31 gëzhoja. Në banesën e shtetasit Kaçifa u sekuestrua edhe një uniformë kamoflazh.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër si dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda po kryejnë veprimet në vendngjarje. /k.k/noa.al/