Transmetuar më 27-10-2018, 12:30

Pak ditë pas operacionit policor në Shkodër, ku u godit banda e drogës së Bajrave, arrestohet personi kryesor, Enver Bajri.

Ai u ndalua nga autoritetet në Spanjë, ndërsa i shpëtoi ndalimit nga policia shqiptare.

Bajri dyshohet nga policia se drejtonte një grup të strukturuar të trafikut të drogës.

Disa ditë më parë policia dhe prokuroria vunë në pranga 11 prej anëtarëve të grupit “Bajri” në Shkodër.

Të arrestuarit janë Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë; Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë; Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër; Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë; Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër; Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër; Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë dhe Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.

Opozita ka akuzuar eksponentë të mazhorancës për lidhje me këta persona të cilësuar si mjaft të rrezikshëm. /k.k/noa.al/

Njoftimi i policisë

Policia e Shtetit, në koodinim të plotë dhe intensiv të veprimeve me Policinë Spanjolle dhe Policinë Italiane kanë arritur të ndalojnë pak minuta më parë shtetasin në kërkim ndërkombëtar Enver Bajri.

Bajri dyshohet se është drejtuesi i grupit kriminal “Bajri”, që ishte aktiv kryesisht në zonën e Shkodrës dhe u godit disa javë më parë nga Policia e Shtetit në një operacion të gjerë.

Enver Bajri u ndalua rreth orës 11:30 minuta të ditës së shtunë në San Huan, Alicante, Spanjë.

Policia e Shtetit ishte në gjurmim të tij, duke përdorur metoda speciale të hetimit dhe në bashkëpunim me agjencitë e huaja ligj zbatuese, arritën të konkretizonin kërkimin me arrestimin e tij.

Bajrit në momentin e ndalimit iu gjet një armë pistoletë, që e mbante pa leje dhe rreth 9 mijë euro.

Ai është i dënuar edhe në Itali me 6.6 vite burg për veprat penale të “Organizim i emigracionit të paligjshëm”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Falsifikim”.