Transmetuar më 20-10-2018, 12:44

Kryeministri Edi Rama u ndal mesditën e sotme në spitalin e Fierit, ku është çelur reparti për trajtimin e pacientëve të prekur nga kanceri.

Ai thotë se e kaluara e disa viteve më parë e këtij spitali i ngjan një ëndrre të keqe dhe e ardhmja mbetet ende një sfidë e madhe, që kërkon shumë punë akoma.

Por në një moment ai nuk ka kursyer batutat, duke thumbuar për tenderat.

“Më ra goja, kur i bëni këto tenderat, mos i bëni dyert për Erion Braçen”, tha Rama me të qeshur.

Ndërkohë mjekëve ai iu tha se do u rriten rrogat, por nuk përjashtoi që mes bluzave të bardha ka nga ata që e njollosin përparësen.

Gjithashtu gjatë kësaj vizite, kreu i qeverisë iu dhuroi karafilave pacienteve në trajtim.

“U zgjidh herceptina se ishte sfidë e madhe në fakt, se është ilaç shumë i shtrenjtë, por jeta e të gjitha atyre grave dhe vajzave që kanë nevojë për këtë ilaç është shumë herë më e shtrenjtë. U realizua falë marrëveshjes kuadër. Më vjen shumë mirë që tani, në këtë spital kemi dhe këtë shërbim, sepse do të lehtësojë shumë dhe është një zonë me shumë njerëz dhe ngarkesë. Duhet të bëjmë çmos që të rrisim vetëdijen tek gratë dhe tek vajzat që ta bëjnë këtë ekzaminim përpara, që të mos jenë të detyruara të vijnë e të kalojnë në këtë proces,” u shpreh Kryeministri./a.y/noa.al