Transmetuar më 17-10-2018, 10:42
Arma e sekuestruar

Një sherr i dhunshëm mes katër personave, ka përfunduar me goditje dhe kërcënime me armë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, e martë, në Dibër.

E sinjalizuar për ngjarjen, policia ndërhyri duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.

Nga ana e uniformave blu u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e H.Kaja, 25 vjeç, banues në fshatin Dohoshisht dhe M.Kaja, 21 vjeç, banues në Peshkopi.

Dy të rinjtë akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në qytetin e Peshkopisë për motive të dobëta ata kanë goditur me mjete të forta dhe nën kërcënimin e armës kanë kanosur shtetasit A.S., 25 vjeç dhe D.M., 24 vjeç, nga fshati Fushë Çidhën.

Në vijim të punës për kapjen e të rinjve të përfshirë në konflikt është ushtruar kontroll në banesat e tyre. Në banesën e shtetasit H.K., u sekuestruan 2 kilogramë lëndë narkotike kanabis.

Nga ana e uniformave blu u bë arrestimi i 60-vjeçarit Lutfi Kaja, 60 vjeç, babai i shtetasit në kërkim H.K, për veprat penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip automatik dhe lënda narkotike.

Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Dibrës për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. /a.y/noa.al