Transmetuar më 15-10-2018, 15:23

Pas largimit të opozitës nga Mbledhja e Komisionit të Përbashkët Ndërparlamentar Shqipëri- BE, në Bruksel, Taulant Balla gjatë fjalës së tij u shpreh se nëse një nga ato akuza që Genc Pollo i drejtoi në këtë mbledje është e vërtetë, atëherë ai është i gatshëm që të përballet në gjykatën e Brukselit. Ndërsa shtoi se betejat mes kampeve politike duhet të lihen në Shqipëri.

“Ne duhet të lëmë betejat tona në Shqipëri, dhe këtu të bashkojmë forcat me ju. Nëse 1% kaq është shumë 1 në 1 mln nga gjithçka sa tha z. Pollo jam gati të më bëhet gjyqi këtu”, tha ai.

Balla u shpreh më tej se ata duhet të votojnë bashkë me të ligjin e Magjistraturës. “Dy vite me parë votuam reformën në drejtësi. Ishte Kukan, Fleckenstain, por ka shumë ligje në parlament që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament kolegët ne parlament duhet të kuptojnë se nëse duan të vijnë në pushtet vihet me zgjedhje të lira.

Ndryshimi nuk bëhet me marrëveshje por përmes votës se popullit dhe të kesh zgjedhjet e lira, ne thamë se duhet te bëjmë ndryshimet në kodin zgjedhor. Drafti është këtu, unë dua t’ju jap një kopje gjithçka është aty nga A te ZH. Vettingu po vazhdon gjysma e tyre që e kanë kaluar, për fat të keq ose për fat të mirë. Faleminderit për angazhimin tuaj. Ju e doni vendin tim më shume se opozita jonë”, tha Balla.

Më herët nënkryetari i delegacionit nga opozita Genc Pollo kërkoi në emër të opozitës që komisioni i përbashkët të mos drejtohet nga Taulant Balla, duke e akuzuar për lidhje me krimin e organizuar. Sipas tij, është e padenjë që Balla të jetë bashkëkryetar.

“Është e padenjë të kemi një padrino të baronit të drogës në presidium. Turp për maxhorancën në Tiranë që nuk e ndërroi! Turp për ne të gjithë, po e toleruam edhe në Bruksel. Me Ballën në majë të pirgut s’ka kuptim deklarata e sotme kundër drogës e pro negociatave. Eurodeputetët janë të sikletosur nga Balla. Ç’të bëjmë, zemë hundën me dorë e vazhdojmë punën”, u shpreh Pollo.

Në vijim të qëndrimit të tij, ai tha se eurodeputetët kërkojnë zyrtarisht shpjegime për skandalet e Ballës. Po ashtu tha se Taulant Balla është pasardhës i denjë i Saimir Tahirit në këtë komision, duke kërkuar që njëlloj si ai të largohet.

Pollo deklaroi se kjo është e fundit mbledhje e Parlamentit ku Taulant Balla është bashkëdrejtues. Fjala e Pollos u ndërpre nga ndërhyrja e Monika Macovei, nënkryetarja komisionit të Stabilizim Asociimit./b.l/noa.al/