Transmetuar më 11-10-2018, 12:09

Me një gjuhë të ngjashme si Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj iu përgjigj sot interesit të gazetarëve lidhur me çështjen e njohur “Babalja”, ku opozita akuzon qeverinë, prokurorinë dhe policinë se po bëjnë gjithçka për të nxjerrë të pastër Agron Xhafaj.

“Unë jam i pozicionuar qartë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar. Pala tjetër ka zgjedhur një rrugë tjetër që është rruga që ti dalë krahë krimit, duke sulmuar policinë dhe strukturat e angazhuara në luftën kundër krimit të organizuar. Kanë zgjedhur partnerë të gabuar, llumin e këtij vendi”, u shpreh Xhafaj.

Ai tha se është një çështje që i takon drejtësisë, duke nënvizuar se ka kulturën e nevojshme politike dhe ligjore që të respektojë autoritetet e drejtësisë.

Xhafaj tha se çështja është në hetim të plotë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe se i takon asaj dhe gjykatës që të japin verdiktin.

Po ashtu nënvizoi se është ministër i Brendshëm, dhe ka si detyrë që t’iu shërbejë qytetarëve të vendit.

“Jam fokusuar në luftën kundër krimit dhe kam përzgjedhur instrumentet e duhur si Forca e Ligjit dhe partneritetin gjerman”, deklaroi ai pas një vizite në Task Forcën Speciale, me Peter Henzler, zv.President i BKA, Zyrës Federale Kriminale.

Deklarata e tij vjen pas publikimit të një video nga deputeti demokrat Ervin Salianji, ku në të shfaqej një person i quajtur Alfred Alizoti, i cili deklaron se është takuar me Taulant Ballën dhe se është shoqëruar në Prokurori, nga kreu i policisë Ardi Veliu.

Në video sugjerohet se Alfred Alizoti, është kërcënuar nga drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Në audion dhe pamjet e transmetuara, Alizoti thotë se nuk e di se po regjistrohet dhe deklaron se është marrë në makinë nga Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe është dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në mënyrë që të pranojë versionin që i shkon për shtat mazhorancës.

Alfred Alizoti rrëfen se si po i bëhej presion që të pranonte se ishte ai që kishte folur si Agron Xhafaj në bisedën me Babalen. Alizoti, cilësohet nga Prokuroria si personi që interpretoi zërin e Agron Xhafajt dhe i etiketuar nga Kryeministri Edi Rama si “aktori”. /a.y/noa.al