Transmetuar më 10-10-2018, 13:59

Nehat Kulla është tërhequr nga kërkesa e tij, që pjesën e mbetur të dënimit ta kryejë në arrest shtëpie.

Kërkesën ai ia ka dërguar Gjykatës së Krujës ku nëpërmjet avokatit shprehet se, “Meqenëse nga konsultimet me klientin tim, i cili më ka caktuar në këtë detyrë, kemi rënë dakord, kërkojmë që të heqim dorë nga kërkesa me objekt Lirim nga Burgu (qëndrim në shtëpi), pasi mendojmë se interesat tona do ti vlerësojmë në një moment të dytë”.

Kulla u arrestua në vitin 2005, pasi ishte dënuar me 20 vite burg, i deklaruar fajtor për vrasjen e Halim Gjuzit, ish-shofer i zv/ministrit të Arsimit, Halit Shamata.

Sakaq në fund të muajit qershor, ai kishte bërë një kërkesë ku kërkonte lirim për sjellje të mirë, për shkak të problemeve shëndetësore të tij, por edhe të së shoqes duke kërkuar që ti qëndrojë pranë. Për shkak të uljeve të dënimit ndër vite, tashmë Kullës i mbetet edhe një vit pas hekurave.

Nehat Kulla dhe banda e tij

Banda e Nehat Kullës u krijua gjatë trazirave të vitit 1997. Në këtë situatë ai së bashku me familjarë e miq të tij mbajtën të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë.

Madje, gjatë vitit 1997, ai arriti të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera.

Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake. Të paktën, atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora. /a.y/noa.al