Transmetuar më 04-10-2018, 23:10

Ervis Martinaj, me origjinë nga Burreli, 36-vjeçar, është një emër mjaft i njohur për Policinë. Së fundi ai është dënuar me 1 vit e 4 muaj si i përfshirë në vrasjen e Enton Nikës dhe plagosjen e Ismet Gaxherrit në vitin 2015. Po ashtu emri i tij ka dalë edhe në dosjen e bujshme gjyqësore kundër Emiljano Shullazit.

Sikurse raportoi Opinion.al, ishte biznesmeni Ylvi Beqaj, i cili në dëshminë e tij ka deklaruar se Ervis Martinaj e ka kërcënuar dhe i ka ofruar 7 milionë euro, në mënyrë që ai të mbyllë gojën në gjyqin kundër Shullazit.

36-vjeçari nga Burreli, i cili është rritur në Laç dhe jeton në Tiranë, është dënuar edhe me burg dhe disa herë me gjobë për organizim të palejuar të lotarive në Tiranë.

Martinaj dyshohet gjithashtu se ka kërcënuar me jetë në vitin 2013, shefin e repartit special “Shqiponja”, në kulmin e operacionit të lojërave të fatit.

Ngjarja e Linzes

“A më njeh mua? Unë jam Ervis Martini!”. “Qofsh me shëndet, unë jam Enton Nika!”. Ky është dialogu që ka shkëmbyer i pandehuri Ervis Martini me viktimën Enton Nika, pak minuta përpara se ta ekzekutonte në parkingun e një lokali luksoz në Linzë.

Ndonëse Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim të pandehurit, Emiljano Tasho, Ervis Martinaj, Bujar Hasani e Mirsad Kuçana, të dyshuar për vrasjen e Enton Nikës dhe plagosjen e Ismet Gaxherrit, nuk ka mundur dot të hedhë dritë mbi motivin e krimit të rëndë.

Të pandehurit u përballën me akuzat e “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosjes së lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Armëmbajtjes pa leje”.

Ndërsa mbi supet e Erjon Biraçit rëndon akuza e “Përkrahjes së autorit të krimit”. Mekanizmi i krimit është zbardhur nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë së lokalit. Por, momenti i ekzekutimit me armë i Enton Nikës nuk është regjistruar, pasi si viktima ashtu dhe ekzekutori ndodheshin jashtë fokusit të kamerave.