Transmetuar më 29-09-2018, 11:37
Foto nga protesta

Rasti i rëndë i dhunimit të 25-vjeçares Xhisiela Maloku nga djali i deputetit Rrahman Rraja, Rexhep Rraja, ka sjellë reagime të ashpra nga opinioni publik.

Gratë deputete të Partisë Demokratike, pedagoge dhe aktiviste të shoqërisë civile kanë protestuar sot para kryeministrisë.

“Duhet të reagojmë për t’i thënë stop dhunës ndaj grave. Ne jemi njerëz të frustruar. Është e tmerrshme ajo që ndodhi me Xhisielën. Të reagojmë të gjithë, t’i themi boll dhunës ndaj grave sidomos dhunës politike”, tha pedagogia Enriketa Papa.

“Nuk bëj pjesë tek ata njerëz që rrejshëm thonë unë nuk kam vajzë. Unë kam motër, nënë, mike, studente që mund të gjenden në të tilla rrethana. Bëj thirrje të homazh ndaj grave që kanë humbur jetën si pasojë e dhunës së burrave të tyre, gjyqtarja Fildez Hafizi humbi jetën, një vajzë u dhunua për 16 vjet nga babai i saj, një gjyshe u vra nga dora e nipit të tij. Kjo nuk është Shqipëria që duam. Kjo dhunë duhet të marrë fund”, tha Taulanta Jupi, pedagoge.

Ndërkohë, deputetja e PD Dhurata Çupi tha se shteti është ngritur në këmbë për të fshehur provat.

“Shteti është ngritur në këmbë për të fshehur provat e dhunës së Xhisielës. Djali i deputetit vazhdon të jetë ende i lirë. Bëjmë thirrje për ndërgjegjësim me rastin e Xhisielës, Ajo ka nevojë për mbrojtje”, tha Çupi./a.m./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd