
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, ka arrestuar dy punonjës të policisë në Rinas.
Ata dyshohen se janë pjesë e një grupi kriminal dhe ofronin ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit.
SHÇBA njofton se janë vënë në pranga efektivët Almir Doda, 42 vjeç dhe Edmond Llaçini, 34 vjeç, nga Tirana.
“Arrestimi u krye pas një hetimi disamujor me metoda speciale, pasi dy efektivët e policisë dyshoheshin se ishin përfshirë në veprimtari antiligjore, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, duke ndihmuar persona të ndryshëm për kalimin e kufirit, në kundërshtim me procedurat ligjore”, bën me dije Ministria e Brendshme.
Për të dy efektivët e policisë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Akuzat e ngritura ndaj tyre janë “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”./a.m./noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





