
Avokati i Xhisiela Malokut, caktuar kryesisht nga shteti Elton Frangu, ka qenë i pranishëm në komisariatin e policisë së Fushë Krujës kur Xhisiela Maloku tërhoqi kallëzimin e bërë ndaj djalit të deputetit të PS, Rrahman Rraja.
Avokati shprehet se i është kërkuar të shkojë në komisariatin e Fushë- Krujës nga oficeri i policisë, Gentian Çitozi, pasi një vajzë kërkonte të tërhiqte një kallëzim penal të bërë mëngjesin po e asaj dite.
Frangu thotë se në raste të tilla nuk është e nevojshme prania e avokatit, por ka vajtuar në komisariat për të mbrojtur interesat e vajzës. “I thashë të ketë kujdes, pasi ka bërë një kallëzim penal dhe mund të mbash përgjegjësi për dëshmi të rreme”. Ai sqaron se ka qëndruar vetëm për këtë moment në komisariat në mënyrë që të mos rëndohen pozitat e vajzës dhe më pas është larguar.
I pyetur nëse ka parë persona të rrezikshëm jashtë komisariatit apo persona me armë, avokati thotë se ka qenë natë dhe nuk ka patur shumë lëvizje. Në lidhje me gjendjen psikologjike të vajzës, Frangu thotë për ‘News 24’ se më mirë mund të shprehet psikologu që ka qenë gjithashtu i pranishëm në komisariat.
Avokat Frangu thotë se nga momenti që është larguar nga komisariati nuk ka qenë më pjesë e kësaj çështje, por shpreh gatishmërinë e tij për tu paraqitur në prokurori në rast se do të kërkohet nga organi i akuzës.
Ndër të tjera ai tregon se tërheqja e kallëzimit është një shprehje e vullnetit personal, edhe pse në rastin në fjalë, avokati thotë se i është dukur e çuditshme pasi kallëzimi është kryer në mëngjes, po në mbrëmje është tërhequr. I pyetur nëse ka parë shenja dhune në trupin e vajzës, ai shprehet se nuk ka vënë re gjë.
Në këtë historinë ku një oficer policie denoncon për një ngjarje në komisariatin e Krujës, rezulton që avokat keni qenë ju në gjithë marrjen në pyetje. Mund të më japësh një qëndrim, i referohem Rexhep Rrajas dhe Xhisiela Malokut.
Me kanë thirrur nga ora 22:00 e mbrapa meqë jam avokat i caktuar kryesisht dhe kam zyrën në Fushë Krujë.
Mban mend datën, periudhën? Kush të ka thirrur?
Datën se mbaj mend, korrik ka qenë. Më ka thirrur oficeri që ishte Çitozi.
Dhe çfarë të tha?
Ka një rast nëse mund të vish si avokat kryesisht.
Interesat e kujt do mbronit?
Në telefon mu tha ka një rast vetëm. Shkova dhe kur pashë ishte vajza që donte të bënte tërheqjen e kallëzimit. Unë më shumë isha se tërheqja nuk ka nevojë për avokat në kodin e procedurës penale. Më shumë i thash kujdes se ti ke dhënë një kallëzim e mos mbash përgjegjësi për kallëzim të rremë vetëm ky moment. Që mos rëndohen pozitat e vajzës, më pas kam ikur.
Keni konstatuar të vijë djali që vajza kishte kallëzuar apo persona të tjerë.
Kam qenë natën dhe nuk di. Ngjarja ka filluar nga mëngjesi unë në darkë kam shkuar. Shkova vetëm që vajza mos mbajë përgjegjësi ligjore për tërheqjen, veç këtu jam përqendruar ta orientoj.
Vajza ishte ne praninë tuaj?
Ishte edhe psikologu.
Keni qenë më pjesë e çështjes.
Jo nuk më ka thirrur kush. Nëse më kërkohet do jap sqarimet.
Po Rexhep Rrajan e njihni?
E njoh si emër se është bërë edhe publik tani.
Ligji e lejon tërheqjen e kallëzimit?
Është shprehje e vullnetit. Unë jam munduar që mos të mbajë përgjegjësi penale. Është vullneti i saj s’kam pse ndikoj unë.
Konstatuat frikë?
Jo, përveç habisë asgjë tjetër. Habi, mu duk e çuditshme që kallëzimi është kryer në mëngjes, dhe tërhiqet në darkë.
Shenja të dukshme dhune?
Jo nuk kam parë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





