
Dhjetëra minatorë të mbështetur edhe nga sindikata u grumbulluan sërish sot në një tubim para kryeministrisë ku kërkuan statusin e minatorit.
Një përfaqësi e tyre ka zhvilluar edhe një takim me zyrtarë të kryeministrisë dhe ministrisë së linjës ku është kërkuar një muaj kohë për të llogaritur efektet financiare të projektligjit.
Po ashtu, u ra dakord mes palëve që javën e ardhshme, minatorët të priten në takim nga kryeministri dhe ministri.
"Ne kërkojmë nga deputetët e Shqipërisë sa më shpejt të miratohet statusi jonë, dhe ai që ka punuar 7 vjet nën tokë të marrë sado pak një përqindje të vogël. Kërkojmë statusin sa më parë. Sot presim përgjigje nga qeveria dhe në rast se qeveria nuk jep përgjigje, ditën e hënë do të ketë protesta nga e gjithë Shqipëria", tha një minator.
Ndërkohë, përmes një reagimi në rrjetet sociale, këshilltari i kryeministrit Endri Fuga shkruan se komunikimi vazhdon.
"Komunikimi me përfaqësuesit e minatorëve vazhdon, njësoj siç vazhdon puna për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare. Angazhimi i kryeministrit maksimal", shkruan Fuga./a.m./noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





