
Kryeministri Edi Rama prezantoi platformën sociale në projekt-buxhetin e vitit 2019. Shefi i qeverisë kishte një lajm të mirë për çiftet që sjellin në jetë fëmijë.
Ai tha se në projekt-buxhet, është parashikuar që duke filluar nga një Janari, shpërblimi i lindjes për bebet do jetë 40 mijë lekë të reja nga 5 mijë që është aktualisht. Ai tha se për fëmijën e dytë të çiftit shpërblimi do jetë 80 mijë lekë ndërsa për fëmijën e tretë 120 mijë lekë.
Skema e re e shpërblimeve do të jetë në fuqi duke filluar nga një Janari i vitit 2019. Sipas Ramës, do të krijohen lehtësira edhe për regjistrimin e fëmijës, duke mos qenë nevoja për të shkuar në maternitet.
" Në vitet 2000 pata lançuar çekun e bebes, 50 mijë lekë të vjetra i cili u prit shumë mirë, por mbeti aq sa ishte për shumë vite. Jo vetëm kaq, por u kthye në problem. Në malin e borxheve të trashëguara, kishim borxh 5 milionë dollarë për bebet. Qysh nga një Janari i vitit të ardhshëm, çdo fëmijë i parë i një çifti, do marrë 8-fishin e kontributit, pra 400 mijë lekë, fëmija i dytë, do marrë 16-fish të bonusit, pra 800 mijë lekë, dhe fëmija i tretë 24-fish, pra 1 milionë e 200 mijë. Çdo bebe që lind në maternitete, do regjistrohet aty, nuk është nevoja për procedurat e komplikuara", tha Rama.
Rama u ndal edhe tek rritja e pagave që parashikohet për vitin 2019. Ai tha se sektorët që preken janë arsimi, shendetësia dhe ushtarakët.
"Do të kemi disa të reja pozitive falë reformave, disa fryte të dobishme të reformave që do të shkojnë në interes dhe favor të njerëzve të kategorive të ndryshme. Do kemi rritje pagash në shëndetësi, arsim, ushtri. Do kemi lehtësime të rëndësishme taksash, kryesori për një pjesë të konsiderueshme dhe shumë aktive të biznesit që do të hyjë në kategorinë e biznesit të vogël dhe nuk do konsiderohet i madh deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit", tha Rama./a.m./noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





