
Mbrëmjen e së premtes, më 21 shtator 2018, rreth orës 21.15 qendra e thirrjeve emergjente kantonale në Aarau ka marrë një alarm, sipas të cilit në rrugën “Suhrenmattweg” në Buchs ka ndodhur një konflikt për një makinë të parkuar gabimisht, shkruajnë mediat zvicerane, raporton Albinfo.ch.
Një patrullë e policisë së qytetit Aarau ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe pas një kohe të shkurtër ka kërkuar përforcim, pasi situata në terren ishte përshkallëzuar.
Menjëherë u mobilizuan edhe disa patrulla të policisë kantonale dhe një patrullë e policisë rajonale.
Sipas hetimeve të para të policisë, ka pasur një mosmarrëveshje mes disa personave për makinën e parkuar gabimisht.
Një kosovar 31-vjeçar kishte sulmuar një person tjetër. Policët u futën në mes për të ndërmjetësuar, pas kësaj agresori ushtroi dhunë.
Më pas, në ndihmë i erdhi edhe babai i tij 66-vjeçar dhe ndërhyri në sulm. Duke përdorur gazin lotsjellës, dy burrat u smbrapsën dhe më pas u arrestuan nga përforcimi i marrë.
Një polic 40-vjeçar ka pësuar një lëndim në dorë dhe aktualisht nuk është në gjendje të punojë.
Kolegu i tij 36-vjeçar pësoi një lëndim në sy, teksa të dy kanë marrë ndihmë mjekësore.
Testi i alkoolit të 31-vjeçarit zbuloi një vlerë prej 0.4 mg/l alkool të konsumuar.
Policia kantonale arrestoi përkohësisht dy personat e akuzuar.
Prokuroria publike e Lenzburg-Aarau hapi një hetim penal për shkak të dhunës dhe kërcënimit ndaj zyrtarëve.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





