







Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se vetingu në politikë do të çlironte qeverinë nga krimi. Duke folur ditën e sotme në një aktivitet ku prezantoi masat antimafia për çlirimin e ekonomisë nga korrupsioni dhe oligarkia, ai tha se alternativa e opozitës ka për qellim sekuestrimin e pasurive publike të fituara me kontrata në kundërshtim me ligjin.
Ai shprehu vendosmërinë për të ndjekur rrugën ligjore dhe institucionale për të ndërprerë mandatet e politikanëve të lidhur me krimin.
“Lidhja mes krimit dhe politikës ka avancuar si një kancer në ekonominë shqiptare. Kuvendi është kthyer në institucionin që ligjëron pastrimin e parave përmes bixhozit. Kapja totale e shtetit, kriminalizimi total i vendimmarrjes dhe shkatërrimi i ekonomisë dhe konkurrencës së lirë me përqendirimin e pasurive në pak duar, në ata që njihen oligarkë, shkatërrojnë konkurrencën e tregut”, u shpreh Basha.
Ai denoncoi se 45 biznese mbyllen çdo ditë, ndërsa shtoi se platforma antimafia e opozitës ka si synim, evidentimin, verifikimin, konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurive të personave të përfshirë në afera korruptive.
Kreu i opozitës, u zotua në rikthim të kushteve të konkurrencës së lirë mes bizneseve, ku nga më i madhi te më i vogli të jenë të barabartë para ligjit.
Basha deklaroi se është propozuar identifikimi i burimeve për çdo investim publik ose privat, pasi ka pasur një shqetësim për rritjen e ndërtimit me fonde të pajustifikuara nga sektori bankar. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





