Transmetuar më 21-09-2018, 23:16

Një shqiptar i shumëkërkuar nga autoritetet belge është arrestuar në Tiranë mbrëmjen e sotme.

Safet Bajri (Rustemi), i konsideruar si i forti i Shkodrës, u ndalua në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë.

Ndaj tij ka nisur procedimi penal nga Prokuroria për Krimet e Rënda, për veprat penale prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe trafik ndërkombëtar i drogës në formën e grupit të strukturuar të posaçëm kriminal.

Safet Bajri, është dënuar më 25 Janar 2017 nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vite burg, si kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucionit në kryeqytetin belg.

Kjo organizatë akuzohej se ishte përgjegjëse gjithashtu për shkatërrim të pronës, përdorim të armëve të zjarrit, tentativë vrasje, zhvatje e trafik të qenieve njerëzore me qëllim prostitucionin.

Bajri që njihej dhe me mbiemrin Rustemi, është akuzuar nga mediat në Belgjikë si një njëri që ka bërë shumë krime, por ai i ka mohuar të gjitha.

Në një intervistë televizive, Rustemi deklaroi se është sulmuar pa të drejtë dhe se është shpallur i pafajshëm nga të gjitha Gjykatat në Belgjikë. /k.k/noa.al/