Transmetuar më 21-09-2018, 12:06

Një punonjëse e policisë kufitare në Rinas, është vënë në pranga nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat nën dyshimet për shpërdorim detyre dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.

Dyshimet për implikimin e punonjëses së policisë Brunilda Duda, me detyrë kontrollore në Komisariatin e Policisë Kufitare dhe Emigracionit Rinas, lindën pas kapjes së shtatë shtetasve turq, që tentuan të kalojnë kufirin shqiptar drejt Malit të Zi, të cilët deklaruan se kishin hyrë nëpërmjet Rinasit në Shqipëri.

Nga hetimet e kryera rezultoi se ata janë lejuar të hyjnë në territor në mënyrë antiligjore, nga punonjësja e policisë Duda, duke mos kryer regjistrimin në sistem.

Ndaj efektives së policisë rëndojnë akuzat për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Aktualisht hetimet po vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë. /a.y/noa.al