Transmetuar më 21-09-2018, 10:45
Sokol Stojani, Arta Marku

Situatë e ndezur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, gjithçka lidhur me dosjen hetimore në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe grupit të tij.

Mësohet se kreu i Drejtorisë së Inspektimit në Prokurori, Sokol Stojani, ditën e sotme ka dhënë dorëheqjen nga detyra.

Kjo pasi ai nuk ka pranuar të hetojë dhjetë kolegët e tij, pas urdhrit të dhënë nga Arta Marku për procedim disiplinor.

Kryeprokurorja kërkoi hetim disiplinor ditën e djeshme, për Pranvera Pustinën, Eugen Becin, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Përparim Kullurin, Behar Dibrën dhe Blerim Tominaj.

Gjithashtu ajo urdhëroi transferimin e tre prokurorëve, ku Besim Hajdarmataj do të transferohet në Prokurorinë e Pogradecit, Sonila Muhametaj në atë të Pukës dhe Olsian Çela në Prokurorinë e Beratit, për shkak se nuk pranuan hedhjen e shortit për zgjedhjen e prokurorëve të rinj për dosjen “Shullazi”.

Ky vendimi erdhi pasi dy ditë më parë prokurorët braktisën mbledhjen me drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, për shkak të kërkesës për caktimin e prokurorëve që do të hetonin dosjen “Shullazi”.

Ata mohuan të merrnin përsipër rastin, duke thënë se ajo po hetohet nga Besim Hajdarmataj, ish-kryeprokuror i Krimeve të Rënda.

Gjithë tensioni në organin e akuzës nisi pasi Prela, kërkoi zëvendësimin e prokurorit Ened Nakuçi, i cili prej disa javësh nuk ndodhet në Shqipëri, me pretendimin se është sëmurë, ndërsa prokurorja tjetër Elisabeta Imeraj, është komanduar drejtuese në Prokurorinë e Tiranës.

Zëvendësimi i Nakuçit nuk është pranuar nga prokurorët, duke e cilësuar hedhjen e shortit si të paligjshëm.

Sakaq mësohet se prokurorët kanë vendosur të kallëzojnë penalisht kryeprokuroren Marku, për shpërdorim detyre. /a.y/noa.al