Transmetuar më 21-09-2018, 10:29
Emiljano Shullazi dhe pjesetaret e grupit

Prokuroria e Përgjithshme ka përcaktuar grupin e prokurorëve që do të merren me çështjen në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe bandës së tij.

Nëpërmjet një njoftimi paraditen e kësaj të premte, organi i akuzës thotë se, “Në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë përcaktohet grupi i prokurorëve që do të përfaqësojnë në gjykim çështjen në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi”.

Por prokuroria nuk bën me dije emrat e prokurorëve, të cilët pritet të mësohen në seancën e radhës gjyqësore. Ky vendim vjen pasi dy ditë më parë prokurorët braktisën mbledhjen me drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, për shkak të kërkesës për caktimin e prokurorëve që do të hetonin dosjen “Shullazi”.

Ata mohuan të merrnin përsipër rastin, duke thënë se ajo po hetohet nga Besim Hajdarmataj, ish-kryeprokuror i Krimeve të Rënda.

Por ditën e djeshme, Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku, urdhëroi transferimin e tre prokurorëve të cilët refuzuan hedhjen e shortit. Më konkretisht Besim Hajdarmataj do të transferohet në Prokurorinë e Pogradecit, Sonila Muhametaj në atë të Pukës dhe Olsian Çela në Prokurorinë e Beratit.

Sakaq kryeprokurorja kërkoi hetim disiplinor, për Pranvera Pustinën, Eugen Becin, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Përparim Kullurin, Behar Dibrën dhe Blerim Tominaj. /a.y/noa.al