Transmetuar më 20-09-2018, 16:24

Pas refuzimit të tyre për t’u marrë me shqyrtimin e çështjes gjyqësore “Shullazi”, Kryeprokurorja Arta Marku ka vendosur të nisë hetim displinor ndaj 10 prokurorëve të Krimeve të Rënda.

Të gjithë përfqësuesit e organit të akuzës kanë refuzuar marrjen e dosjes së Shullazit.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se, duke marrë shkas nga ngjarja e fundit e datës 19 shtator 2018 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, mbi refuzimin nga ana e prokurorëve për hedhjen e shortit në procedimin penal në gjykim në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi, për kryerjen e veprave penale parashikuar nga nenet 109/b; 333/a; 334 etj. të Kodit Penal Arta Marku urdhëroi fillimin e hetimit disiplinor ndaj prokurorëve: Olsian Çela, Përparim Kulluri, Behar Dibra, Sonila Muhametaj, Arenc Çela, Edvin Kondili, Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Blerim Tominaj dhe Besim Hajdarmataj.

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela mblodhi mëngjesin e djeshëm prokurorët për të hedhur shortin për dosjen “Shullazi”, por të gjithë e kanë braktisur shortin pasi, sipas tyre, konsiderojnë të paligjshëm shortimin.

Kur kanë mbetur edhe 5 ditë nga seanca e paracaktuar për dosjen e Emiljano Shullazit dhe të ashtuquajturit grupit të tij, ende nuk janë caktuar prokurorët të cilët do të duhet të lexojnë konkluzionet përfundimtare.

Kujtojmë se përfaqësues të akuzës gjatë gjithë procesit kanë qenë Ened Nakuçi dhe Elizabeta Imeraj.

Kjo e fundit hoqi dorë nga dosja, pasi u komandua në krye të Prokurorisë së Tiranës, ndërsa Nakuçi është larguar për në Itali, me pretendimin se nuk mund të marrë pjesë në çështje, për sa kohë ai është i sëmurë, duke paraqitur edhe një raport afatgjatë. /k.k/noa.al/