Transmetuar më 20-09-2018, 12:04

Tani, çështja e tarifës u tejkalua, qeveria bëri disa reduktime dhe ulje dhe historia u mbyll. Por Basha harroi të reagojë ose ra dakord me qeverinë…

Nga Mira Kazhani

Më 4 prill 2018 kam shkruar “25 rreshtat” për Lulzim Bashën me titullin: Ti nuk je kuksian, Lulzim Basha!

Sa për kujtesë, artikulli me titullin “Ti nuk je kuksian, Lulzim Basha!”, qëmtonte mungesën e koherencës por edhe të besës me fjalën e dhënë, me tjetrin përballë dhe me mënyrën skuthe se si kryedemokrati procedon zakonisht, dhe në rastin konkret po përdorte rebelimin e kuksianëve (të drejtë) përballë qeverisë për çështjen e tarifës në Rrugën e Kombit.

Janë, për fatin e keq të Bashës, deklaratat e tij më 1, 4 dhe 20 prill, ku thotë pak a shumë të njëjtën fjali premtuese: PD-ja do të jetë në krah të njerëzve dhe vazhdimisht premtoi se nuk do lejonte që ata të paguanin.

Tani, çështja e tarifës u tejkalua, qeveria bëri disa reduktime dhe ulje dhe historia u mbyll. Por Basha harroi të reagojë ose ra dakord me qeverinë- kjo nuk do ishte e para e as e fundit herë e as shkakton habi!

Vras mendjen, cila mund të jetë ajo kauzë opozitare, e cila e bën Lulzim Bashën të mos heqë dorë?! Nëse nuk mban dot fjalën as brenda dy stinësh, çfarë mund të ndodhë me premtimet e tij vit pas viti?/Tiranapost