Transmetuar më 20-09-2018, 09:36

Një operacion i policisë së Elbasanit i koduar “Nata e fundit” ka vënë në pranga një 29-vjeçar, i akuzuar për një sërë vjedhjesh.

Melser Jangulli, 29 vjeç, banues në lagjen “Vullnetari”, Elbasan, u arrestua mbrëmjen e kësaj të mërkure.

Ai dyshohet për së paku gjashtë vjedhje, në kohë dhe vende të ndryshme.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e vjedhura si unaza, varëse, byzylyk, disa monedha metalike dhe një aparatet celular.

Gjithashtu u sekuestruan edhe materialet që Jangulli dyshohet se i ka përdorur për të kryer vjedhjet, një çantë, sqepar, një palë pinca, dy kaçavida, një levë metalike, një palë gërshërë prerëse, një material qafore leshi deveje me ngjyrë të zezë dhe shirita.

Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim për të zbuluar raste të tjera ku mund të jetë përfshirë, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprën penale “Vjedhja”.

Rastet për të cilat akuzohet

-Më 19 shtator, në lagjen “Qemal Stafa” Elbasanit, dyshohet se ka vjedhur një argjendari në pronësi të shtetasit Xh.H.

-Më 8 shtator, në lagjen “Luigj Gurakuqi” , Elbasan, dyshohet se ka vjedhur dyqanin e shtetasit Sh. A.

-Më 5 shtator, në lagjen “Syrja Dylgjeri” , Elbasan, dyshohet se ka vjedhur një kioskë në pronësi të shtetasit P.S.

-Më 5 shtator, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, dyshohet se ka vjedhur një kioskë në pronësi të shtetasit A.I.

-Më 30 gusht, në lagjen “5 Maji” Elbasan, dyshohet se ka vjedhur dyqanin e shtetasit H.F.

-Më 13 gusht, në lagjen “Viserian Xhuvani”, Elbasan, dyshohet se ka vjedhur dyqanin e shtetasit V.K. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd