Transmetuar më 18-09-2018, 19:30
Basha gjatë deklaratës për mediat

IKMT zhvilloi një aksion në Jalë gjatë ditës së sotme për prishjen e disa godinave të cilat janë skualifikuar nga procesi i legalizimit.

I gjithë aksioni u shoqërua me konfrontime të ashpra mes pronarëve të godinave dhe policisë së shtetit.

Banorët e zonës thanë se kanë ndërtuar në tokat e tyre dhe se për aksionin nuk ishin njoftuar. Ndërkohë, IKMT në reagimin për mediat sqaroi se godinat në fjalë janë të jashtëligjshme.

Në terren u nisën edhe disa deputetë të PD pas konfrontimeve. Disa orë pas ngjarjes, kreu i PD Lulzim Basha doli në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat.

Basha ka reaguar me tone të ashpra dhe paralajmëruese ndaj kryeministrit teksa tha se “përgjegjësinë do ta mbash ti Edi Rama me kokën tënde, po ju prek një fije floku një deputeti”.

Ai deklaroi se me truallin në Jalë po veprohet njësoj si me atë të teatrit ku po grabiten qytetarët. Basha tha se synimi është që toka t’u jepet njerëzve të lidhur me pushtetin.

“Kanë një qëllim për të grabitur trojet e Jalës. Aktet kanë qenë të rënda dhe të dhunshme. Banorët kanë thënë se toka do kalojë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtes dhe më pas do të jepet miqve të tij. Është e njëjta skemë si me Teatrin Kombëtar. Deputetët tanë u nisën menjëherë sapo nisi konflikti, policia dhe IKMT janë sjellë si banditë.

Kryeinspektori Fatmir Metaj, kërcënoi deputetin Shehaj. Fatmiri i Nasibes, është ish-shefi të Tropojës. Për ata që e kanë harruar, në 12 shtator 20 vite më parë në makinën e tij udhëtuan bandat që vranë Azem Hajdarin”, tha Basha nga selia blu./a.m./noa.al/