Transmetuar më 13-09-2018, 21:19

Merr fund dilema për të ardhmen e Arlind Ajetit.

Pas ditësh të gjata pritjeje mbrojtësi shqiptar i cili shkëputi me konsensus kontratën me Torinon gjatë kësaj vere, është prezantuar si afrimi më i fundit i skuadrës së Grasshoppers.

Arlind Ajeti rikthehet në Superligën zvicerane pas 3 sezonesh pasi në vitet 2011-2015 ka qenë pjesë e skuadrës së parë të Baselit ku edhe është formuar si futbollist.

Me klubin nga qyteti i Zurich, shtatlarti kuqezi ka firmosur kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi edhe për 2 vite të tjera.

Në kampionatin helvet Arlind Ajeti do të sfidojë si kundërshtar vëllain e tij Albian Ajeti i cili është pjesë e Baselit.

Në kampionatin italian, Ajeti u aktivizua edhe me Frosinonen dhe Crotonen si i huazuar.

Ai shihet si një nga mbrojtësit kryesorë te Kombëtarja shqiptare./a.k/noa.al/