Transmetuar më 13-09-2018, 12:03
Monika Kryemadhi, foto ilustruese

Pas mbledhjes së deputetëve opozitarë në Durrës, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka dhënë një prononcim për mediat. Ajo ka rikonfirmuar vullnetin “e hekurt” të opozitës për t’i shkuar deri në fund vettingut në politikë.

“Aksioni i opozitës nuk ka më ndalesë do vijojë të ecë përpara. Aksioni opozitar është mëse i qartë, presim po apo jo, nëse Rama është kundër apo pro vettingut në politikë”, tha drejtuesja e LSI.

Ajo tha se katër grupet e punës të ngritura nga opozita paraqitën një raport për gjendjen e vendit. Ajo tha se emergjencë kombëtare është largimi i krimit nga pushteti.

“E gjithë opozita po konsolidohet, partitë politike po shtohen më shumë. Përballë ka një parlament të grabitur nga bandat dhe nga duart e Ramës që kërkon të manipulojë ç’po ndodh. Sot e vetmja ndasi është me krimin e organizuar”, tha Kryemadhi.

Ajo tha më tej se nuk është opozita, por mazhoranca ajo që i trembet vettingut në politikë.

“Opozita nuk i trembet vetingut. Toyota Yaris nuk ishte e opozitës, ishte e Taulant Ballës, Rama të thotë është pro apo kundër. Çdo fshehje emocionale apo makth e kanë të pamundur ta shmangin. Nëse ne do ishim gabim partitë e tjera nuk do na bashkoheshin dhe Rama nuk do mbetej vetëm”, tha ajo më tej./a.m./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd