Transmetuar më 13-09-2018, 11:49
Lulzim Berisha

Gjykata e Krimeve të Rënda ka rihapur çështjen penale ndaj të dënuarit për tentativën e vrasjes së ish-kreut të bandës së Durrësit Lulzim Berisha.

Shtetasi Ahmet Ajeti, i cili u ekstradua dy muaj më parë nga Kosova, kërkoi rihapjen e çështjes pasi ai është dënuar në mungesë.

Ndaj tij gjykata ka dhënë 20 vite burg. Ngjarja për të cilën Ahmeti akuzohet ka ndodhur në vitin 2005 në qytetin e Durrësit.

Atentati ndaj Lul Berishës dështoi pasi Ahmeti, para se të arrinte te vendi ku ndodhej kreu i bandës, u konfliktua me një person dhe nxorri armën.

Në ato momente ai u vetëplagos aksidentalisht.

“Më 30 gusht të 2005 Ahmet Ajeti dhe O. K. të porositur nga E. D. dhe A.C., kanë shkuar nga Tirana në Durrës për të vrarë Lul Berishën. Para se të kryhej atentati në afërsi të lokalit ku ndodhej Berisha, Ahmet Ajeti është konfliktuar me disa persona të panjohur dhe në grindje e sipër ka nxjerrë pistoletën është vetplagosur. Ajeti është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më 07.03.2016, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin nr. 01 datë 16.01.2012, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, dhe “Armëmbajtje pa leje”. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Policinë e Kosovës, u bë i mundur arrestimi i tij në Kosovë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë”, thuhej në njoftimin e policisë pas ekstradimit të Ahmetit./a.m./noa.al/