Transmetuar më 13-09-2018, 10:50
Artan Lame gjatë deklaratës për mediat

Duke filluar nga java e ardhshme, qytetarët do të mund të nisin regjistrimin e banesave të ndërtuara para vitit 1991.

Lajmi ne ka bërë publik drejtori i ALUZNI-t Artan Lame në një dalje për mediat.

Ai tha se të gjithë qytetarët që nuk posedojnë dokumentet e pronësisë duhet të paraqiten në sportelet e ALUIZNI-t.

“Kjo është sfida e ardhshme e qeverisë. Duke nisur nga 17 shtatori, të gjithë ata që nuk kanë dokument pronësie për banesat para vitit ’91, duhet të paraqiten në sportelet tona për aplikim. Të mbledhin çdo dokument që kanë në lidhje me shtëpitë e tyre të paregjistruara. Kjo nuk është e detyrueshme, por çdo dokument që mund të keni ndihmon institucionin për dosjen. Formulari i aplikimit mund të shkarkohet edhe në faqen e internetit të ALUIZNI-t”, tha Lame.

Ai kishte edhe një apel për qytetarët. Lame bëri thirrje të shmangen flukset nëpër sportele. Ai kërkoi të paraqiten në fillim ata që dokumentin e pronësisë e kanë emergjencë.

“Meqenëse kemi të bëjmë me një problem që prek mijëra familje, do të kërkoja mirëkuptimin e qytetarëve që të mos krijojnë radhë. Të paraqiten fillimisht ata që e kanë të domosdoshme dokumentin e pronësisë: ata që duan ta shesin shtëpinë, ata që duan të marrin kredi ose ata që janë për shpronësim sepse u kalon rruga te shtëpia”, vijoi Lame./a.m./noa.al/