Transmetuar më 13-09-2018, 10:35
Basha gjatë fjalimit në Durrës

Opozita edhe këtë të enjte nuk merr pjesë në seancën plenare, por është zhvendosur në Durrës ku deputetët e saj zhvillojnë mbledhjen e të ashtuquajturit “parlamenti opozitar”.

Kjo është mbledhja e tretë e këtij lloji pas atyre në Shkodër dhe në Elbasan.

Në nisje të mbledhjes, ishte kryetarii Partisë Demokratike Lulzim Basha ai që mbajti një fjalim.

Ai e nisi fjalimin me një ultimatum për kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi lidhur me nismën e opozitës për vettingun në politikë.

“I jap këtë ultimatum Gramoz Ruçit, respekto rregulloren e Kuvendit, boto online propozimin ta shohin shqiptarët, dhe të hidhen poshtë gënjeshtrat. Nuk dini si t’i përgjigjeni shqiptarëve, pse bëtë vetting për policët dhe nuk pranoni vettingun për politikanët”, tha Basha.

Më tej ai u fokusua edhe te rendi i ditës së sotme të parlamentit. Basha tha se amzhoranca do të rrëzojë dekretin e presidentit që ktheu pas ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.

“Sot mazhoranca do hedhë poshtë dekretin e presidentit që kthen pas një prej ligjeve më korruptive. Qeveria u merr frymën dhe detyron të mbyllë 45 biznese në ditë, por për lojrat e fatit taksa ulet në 15 %. Ju kujtohet si erdhën e thanë se do mbyllen lojrat e fatit. Nga 900 u shtuan mbi 4200 pika bastesh. Pyesni Agron Xhafajn, Olsi Ramën, dhe nëse nuk i gjeni pyesni vëllezërit e tyre. Rama dhe Xhafaj ndihmuan bandat e krimit për të shtënë në dorë lojërat e fatit, e për të mbuluar aktivitetin kriminal. Që nuk është më mbjellja e kanabisit, edhe pse vazhdon, por pastrimi i parave të krimit”, deklaroi Basha.

Ai dha edhe një paralajmërim se do publikohen fakte konkrete.

“PD do publikojë fakte tronditëse që tregojnë si Rama dhe Xhafaj kanë përdorur pushtetin politik për të shtënë në dorë lojërat e fatit dhe për ti përdorur për pastrimin e parave të pista të kokainës dhe heroinës dhe aferave korruptive”, tha kreu i PD-së.

Mes të tjerash Basha u bëri thirrje qytetarëve kuksianë të mos paguajnë tarifën për “Rrugën e Kombit” që nis prej 17 Shtatorit.

Ai akuzoi më tej kryeministrin Rama se po grabit pronën e konsullatës shqiptare në Nju Jork të cilën do ta përdorë për ngritjen e një gradaçele./a.m./noa.al/